Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka deklaruar se është "jashtëzakonisht e shqetësuar" për tensionet midis Libanit dhe Izraelit.
"Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën, tashmë me qindra të vrarë, mijëra të plagosur dhe dhjetëra mijëra të zhvendosur, plus retorika shqetësuese që po rritet gjithashtu", tha zëdhënësja e Zyrës së OKB-së, Ravina Shamdasani në përgjigje të pyetjes nga Anadolu.
"Ne theksojmë nevojën për depërshkallëzim dhe ndërprerje të armiqësive", shtoi ajo. Shamdasani kërkoi hetim të plotë për çdo incident që përfshin vrasjen e civilëve, duke e quajtur atë "të rëndësishme".
Zëdhënësja shtoi se Zyra e të drejtave të njeriut mori raporte "shumë shqetësuese" të fëmijëve, paramedikëve dhe gazetarëve në mesin e të vrarëve.
"Ne jemi seriozisht të shqetësuar për pajtueshmërinë me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe u kujtojmë palëve detyrimet e tyre", theksoi Shamdasani.
Tensionet përgjatë kufirit të Libanit me Izraelin janë rritur mes sulmeve ndërkufitare midis grupit libanez Hezbollah dhe forcave izraelite derisa Tel Avivi vazhdon ofensivën vdekjeprurëse në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 37.700 palestinezë që nga tetori pas sulmit nga grupi palestinez Hamas./aa