Baki Spahillari, babai i 19-vjeçares Eralda, e cila humbi jetën në një aksident tragjik në Itali ka folur për vdekjen tragjike të vajzës së tij por dhe të vërtetën e ngjarjes.
“A dua të di të vërtetën për atë që ndodhi? Dhe për çfarë do të shërbente? Kam humbur vajzën dhe asgjë nuk mund ta kthejë më, as e vërteta”, tha ai për mediat.
Siç shkruhet në të përditshmet italiane, Bakiu siguron që nuk do të mbajë inat. Ai punon murator dhe ka ardhur nga Shqipëria në Ponte di Piave, një fshat në zonën e Treviso-s shtatë vite më parë.
Mes trishtimit ai përpiqet të gjejë fjalët për të përshkruar Eraldën e cila vdiq pasi makina që e drejtonte i fejuari i saj, Mikele Tatani, po ashtu në të njëjtën moshë, u përplas me një pemë. Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
“Eralda studionte për estetiste, donte të hapte një qendër të sajën. Ishte vajzë inteligjente dhe e përgjegjshme. Punonte në piceri në mbrëmje për të nxjerrë ndonjë lek. Ishte simpatike. Luanim gjithmonë bashkë, argëtoheshim, më bënte për të qeshur shumë”, tha Bakiu.
Herën e fundit që e pa vajzën ka qenë mesditën e së shtunës, disa orë para ngjarjes.
“Ajo doli me të fejuarin dhe më pas shkoi në punë. Pasi mbaroi punën në piceri doli përsëri me miqtë dhe ndodhi ajo që ndodhi”, tha ai.
Baki Spahillari, deklaron se nuk ka ndjenja të këqija apo urrejtje kundrejt të dashurit të vajzës së tij Eraldës, i cili ishte drejtuesi i makinës.
“Mikele është djalë i mirë, i kam besuar gjithmonë. Ai nuk pi alkool, dhe nuk e besoj historinë që bëri një garë shpejtësie me miqtë e makinës tjetër”, ka thënë babai i Eraldës në Corriere Veneto.
Pasditen e së hënës, Baki Spahillari shkoi për të përqafuar Nesret Tatanin, babain e Mikeles pa e fajësuar qoftë për një çast.
Babai i Mikeles gjithashtu i shqetësuar për djalin e tij ka thënë se ai është në koma dhe por po pret zgjimin e tij.
“Djali im është në koma, i intubuar. Mikele ishte një djalë me këmbë në tokë. Nuk e kuptoj dot se çfarë ndodhi atë natë. Disa pjesë të kësaj historie mungojnë dhe shpresoj që karabinierët t’i zbulojnë”, tha ai.