omentatori sportiv Alban Xhihani ishte i ftuari i radhës i kryeministrit Edi Rama në episodin final të sezonit 3 të podkastit “Flasim”.
I cilësuar “Zëri shqip i vitit 2024”, Xhihani ndau emocionet e EURO24, ndërsa vlerësoi po ashtu paraqitjen e Kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian.
Ai veçoi ndeshjen me Italinë në Dortmund ku stadiumi dominohej në rreth 85 % të tij nga tifozeria kuqezi.
“Kur kam parë atë stadium që u mbush, pavarësisht stresit që isha në raportim, fillonte programi, ndjeva njëfarë pasigurie brenda vetes, pavarësisht eksperiencës shumëvjeçare nëse do të isha në gjendje ta përcillja siç duhej atmosferën. E gjitha vjen nga ajo atmosferë e bukur që më mbushi dhe më dha forcë që të bërtisja. Mbetet eksperienca më e bukur, unë e cilësoj si kulmin e karrierës sime. Të komentoj kombëtaren në Kampionat Europian dhe përballë atyre skuadrave”, tha ai.
Xhihani u shpreh se Shqipëria, pavarësisht eliminimit, pati fat që u ndesh me ato skuadra dhe bëri zhurmë të madhe në gjithë Europën dhe botën.
Duke folur për pritshmritë, Xhihani theksoi se “ne na mbajti gjallë edhe fakti se me një fitore mund të kualifikoheshe, shpresën e kishe gjithmonë në rast fitoreje”.
“Me Kroacinë mendova se arritëm por nuk ndodhi kështu. Është edhe mungesë eksperience sepse janë të rinj, por u largova me shije të mirë. Pashë edhe zhgënjim te lojtarët dhe kur sheh zhgënjim është gjë e mirë sepse kemi rritur stekën, e kemi çuar shumë lart. Pra nuk ishim të gëzuar se morëm pjesë si në vitin 2016 dhe 2021. Këtë herë pashë lojtarë të uritur që u larguan me pengun që nuk arritëm dot të bënim pak më shumë se grupi”, theksoi ai.
Xhihani ndau edhe momente nga bisedat me gazetarët e huaj që ndiqnin Europianin, ndërsa tha se kishte shumë dashuri për Shqipërinë.
“Ne bëmë më të mirën tonën. Skuadra është e re, pastaj eksperienca është shumë e rëndësishme në këto nivele. Është si të luash në 3 mijë metra lartësi. Nga ana tjetër qëndruam deri në fund gjallë”, tha Rama.
Xhihani theksoi se grupi ishte ferr për cilëndo skuadër që do të ishte në vendin e Shqipërisë.
“Ne vumë në siklet Italinë, vumë shumë në vështirësi Kroacinë. Ndryshe nga viti 2016 ku më shumë kishim një skuadër mbrojtëse, këtu ishim gjithë kohës në sulm. Ishte shumë interesante”, u shpreh Xhihani./ata