Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024, duke qëndruar pranë nivelit mesatar prej 2.1%. Kjo ecuri u diktua nga rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë, dhe në veçanti të frutave e perimeve.
Kështu deklaroi sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në konferencën për mediet, ku theksoi se,”inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër”.
Sejko tha se, rënia e inflacionit gjatë tremujorit të dytë ka pasqyruar reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste shfaqen më të qëndrueshme.
Sipas tij, rënia e inflacionit të importuar ka pasqyruar si ndikimin e forcimit të kursit të këmbimit, ashtu edhe rënien e inflacionit në partnerët tregtarë.
“Në veçanti, ngadalësimi i shpejtë i inflacionit të ushqimeve në vend ka ecur paralelisht me një ecuri të ngjashme në tregjet ndërkombëtare, duke sugjeruar se kjo ecuri pasqyron një goditje pozitive oferte. Nga ana tjetër, qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste mbështetet si nga kërkesa solide për mallra e shërbime, ashtu edhe nga rritja relativisht e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit”, tha Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko./ata