Në Bilisht u çel mbrëmë edicioni i II-të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Lojërave Popullore dhe Riteve i cili zhvillohet edhe gjatë ditës së sotme.
Ky festival organizohet nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, drejtuar nga Niko Kotherja dhe ka edhe mbështetjen e Bashkisë Devoll.
Grupet pjesëmarrëse nga mbarë Shqipëria me veshjet tradicionale të zonave nga vijnë, prezantojnë lojërat popullore dhe ritet e zonave të tyre, duke dëshmuar në mënyrën më të bukur e më të thjeshtë kulturën popullore.
Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, përgëzoi Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, për këtë veprimtari të cilën e cilësoi si të bukur e me vlera dhe uroi që ky festival të kthehet në një traditë të vazhdueshme, me qëllim që brezi i ri të njohë kulturën popullore, veshjet e mrekullueshme e plot ngjyra, lojërat e ritet tradicionale shqiptare./ata