Investimet për rehabilitimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit kanë ripërtërirë sipërfaqe të tëra tokash bujqësore, ndërsa skemat mbështetëse nga qeveria kanë nxitur fermerët të shtojnë sipërfaqet e mbjella.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga korrja e grurit në njësinë administrative të Katundit të Ri, ku dhe theksoi se është shtuar sipërfaqja e mbjellë me drithë.
“Falë skemave lehtësuese në mbështetje të fermerëve si dhe investimeve për pastrimin dhe rehabilitimin e kanaleve kulluese e vaditëse, sipërfaqet e mbjella me kultura të ndryshme bujqësore janë shtuar këtë vit. Korrja e grurit në njësinë administrative të Katundit të Ri ku është shtuar sipërfaqja e mbjellë me drithë”, deklaroi Rama.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural thotë se është e angazhuar të mbështesë fermerët dhe njësitë agropërpunuese përmes politikave të prodhimit, agropërpunimit dhe Skemës Kombëtare të Naftës, ku sipas saj, gjatë këtij viti 1/3 e fermerëve që kultivojnë grurë kanë aplikuar për naftë falas.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi së fundmi raportin mbi statistikat e bujqësisë, sipas të cilit prodhimi i drithërave në vitin 2023 është 701.314 tonë, ndërsa qarku i Fierit ka nivelin më të lartë me 176.584 tonë, pasuar nga qarqet Elbasan me 95.572 tonë dhe Korçë me 83.889 tonë./ata