Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov vlerësoi sot se deklarata e përbashkët e samitit në Tiranë tregoi mbështetjen për Ukrainën dhe se vendet e rajonit e kuptojnë situatën me të cilën po përballet Ukraina.

I ftuar në një studio televizive, Shkurov tregoi përshtypjet e delegacionit të Kievit nga samiti i zhvilluar në Tiranë.

Sipas tij, “Presidenti Volodymyr Zelensky u kthye në Ukrainë i kënaqur nga vizita dhe me përshtypjet më të mira për Shqipërinë dhe mikpritjen shqiptare”.

Shkurov theksoi se kryesia e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë në OKB ka qenë shumë e suksesshme nëse merret në konsideratë konteksti se ku ndodhet Ukraina.

“Deklarata e përbashkët e samitit tregon mbështetjen për Ukrainën dhe se ato e kuptojnë situatën. Presidenti Zelensky u kthye në Ukrainë i kënaqur nga vizita dhe me përshtypjet më të mira për Shqipërinë dhe mikpritjen shqiptare. Në kuadër të vizitës ka qenë edhe takimi dypalësh ku është nënshkruar edhe një traktat shumë i rëndësishëm për miqësinë dhe bashkëpunimin mes vendeve”, tha ai.

Ambasadori Shkurov vlerësoi se “Shqipëria tregoi partneritetin dhe mbështetjen e saj ndaj Ukrainës dhe popullit që po i reziston agresionit rus”.

“Përgjatë kësaj periudhe Shqipëria ka qenë bashkautore e shumicës së rezolutave që kanë të bëjnë me Ukrainën”, u shpreh Shkurov.

Duke folur për marrëdhëniet midis dy vendeve, ai tha se pas luftës mund të bashkëpunohet në disa fusha.

“Vlerësoj gjendjen aktuale të marrëdhënieve Shqipëri-Ukrainë. Ne e kuptojmë që pas luftës do të jetë i mundur zhvillimi i bashkëpunimit të mundshëm në disa fusha si transporti, bashkëpunimi portual, bujqësia, si dhe në teknologjitë moderne. Mund të them që këto marrëdhënie po zhvillohen në një mënyrë të mirë dhe në një stad dinamik. Ekonomitë tona po plotësojnë njëra-tjetrën. Për Ukrainën ekzistojnë të gjitha mundësitë për t’u bashkuar me rajonin e Ballkanit”, u shpreh ambasadori.

Ai foli edhe për mbulimin që mediet shqiptare i bëjnë luftës në vendin e tij, duke vlerësuar përgjegjësinë e treguar.

“Mediet në Shqipëri kanë punuar me përgjegjësi dhe kanë treguar me realitet ngjarjet e luftës dhe ne e kuptojmë që mediet kanë dashur të kuptojnë situatën. Roli i shtypit dhe medias në Shqipëri mund të konsiderohet shumë profesional”, tha ai./ata