Ish-ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj, është arrestuar sot nën dyshimin për korrupsion dhe abuzime me fondet e Bashkimit Evropian (BE), në kohën kur ai drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës të Shqipërisë (SASPAC), si dhe nën dyshimin se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë.

Në një njoftim të publikuar në uebfaqen e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) thuhet se Beqaj bashkë me persona të tjerë dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive.

SPAK ka theksuar se Beqaj është i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publikë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

"Personi nën hetim I. B. (Ilir Beqaj), në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se ka kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat të përcaktuara për të gjitha kontratat e ndihmës së jashtme të BE-së të financuara nga Buxheti i Përgjithshëm i BE-së dhe Fondi i 10-të Evropian i Zhvillimit (EDF) dhe të detyrueshme për t’u zbatuar, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim.

Sipas SPAK-ut, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë më 03 korrik ka vendosur caktimin e masës “Arrest në burg” për Beqajn dhe në kuadër të këtij hetimi janë caktuar masat arrest me burg edhe për dy persona të tjerë, masa “Arrest në shtëpi” për dy persona dhe masa “Detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore” për dy persona të tjerë, emrat dhe funksionet e të cilëve nuk janë bërë të ditur.

Ilir Beqaj ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë në vitet 2013-2017 në qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ndërkohë ai në disa legjislatura është zgjedhur edhe deputet i partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë./aa