Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se pranimi i propozimit të Rusisë lidhur me armëpushimin në Ukrainë do të sigurojë ndalimin e konflikteve dhe fillimin e negociatave.

Putin foli në samitin e 24-të të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), që po mbahet në kryeqytetin Astana të Kazakistanit.

Në fjalën e tij, Putin theksoi rëndësinë e ndërveprimit të partneritetit midis vendeve anëtare të SCO-së dhe tha se vëllimi tregtar i Rusisë me vendet e SCO-së u rrit me një të katërtën.

"Vendet tona po rrisin pjesën e përdorimit të monedhave kombëtare në pagesa. Në katër muajt e parë të këtij viti pjesa e transaksioneve tregtare të Rusisë me anëtarët e organizatës në monedhën kombëtare u rrit me 92 për qind", tha Putin.

Presidenti rus theksoi se dokumentet e përgatitura në samit do të rrisin rolin dhe ndikimin e SCO-së. Sipas tij, siguria duhet të mbrohet në vendet e SCO-së.
 

"Edhe vendimet e marra sot synojnë që 'strukturën rajonale për luftën kundër terrorizmit' të SCO-së ta shndërrojnë në një qendër universale që mund të marrë masa paraprake kundër të gjitha llojeve të kërcënimeve të sigurisë dhe që në Dushanbe të krijohet qendra e luftës kundër trafikut të drogës", tha ai.

- "Kriza e Ukrainës lindi si rezultat i politikës brutale të SHBA-së"

Në fjalën e tij në samitin e SCO-së, Putin foli edhe për krizën në Ukrainë.

"Rusia është në favor të zgjidhjes së situatës së krizës në Ukrainë përmes mjeteve politike dhe diplomatike. Kjo krizë lindi si rezultat i politikave brutale të aleatëve të saj, veçanërisht të SHBA-së. Ne kemi propozuar vazhdimisht zgjidhje për zgjidhjen e situatës. Në mes të qershorit, ne propozuam një opsion për të zgjidhur këtë çështje. Gatishmëria e Ukrainës dhe e sponsorëve të saj perëndimorë për ta pranuar këtë do të sigurojë ndërprerjen e menjëhershme të konflikteve, mbrojtjen e jetës njerëzore dhe fillimin e negociatave", tha Putin.

Presidenti rus gjithashtu tha se vendet e SCO-së janë të gatshme të marrin në konsideratë propozimet për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës.

- Përpjekjet e SHBA-së për "ta zgjidhur" e vetme nyjën palestineze krijuan efekt të kundërt

"Historia ka treguar se përpjekjet e SHBA-së për ta zgjidhur vetë nyjën palestineze dhe dështimi për të zbatuar rezolutat e OKB-së, që parashikojnë ekzistencën në mënyrë paqësore të Izraelit dhe Palestinës si dy shtete të pavarura dhe sovrane, kanë krijuar efektin e kundërt", tha Putin lidhur me situatën në Rripin e Gazës.

Ndër të tjera, presidenti rus tha se ata mbështesin idenë e rifillimit të Grupit të Kontaktit Afganistan-SCO dhe se kjo do të kontribuojë në zgjidhjen e situatës në Afganistan./aa