Është rritur në 38.011 numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e ushtrisë izraelite që nga 7 tetori i vitit 2023 në Rripin e Gazës.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës vazhdojnë prej 272 ditësh.

Sipas ministrisë palestineze, në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në 24 orët e fundit ndaj zonave të ndryshme të Gazës kanë humbur jetën 58 palestinezë dhe 179 të tjerë janë plagosur.

Vetëm në dhjetë ditët e fundit, në sulmet e ushtrisë izraelite ndaj Gazës kanë humbur jetën 385 persona.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori e deri më tani numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 38.011, ndërsa numri i të plagosurve në 87.445.

Gjithashtu në njoftimin e ministrisë thuhet se nën rrënoja dhe përreth rrugëve ende ka kufoma të të vrarëve, ndërsa ekipet shëndetësore dhe të Mbrojtjes Civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat./aa