Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja i ka cilësuar zhurmë politike dhe tentativë për të ndalur zhvillimin e Elbasanit, debatet e fundit të opozitës në këshillin bashkiak.

Teksa në të gjithë qytetin po punohet për 24 orë ujë, tha Llatja, e vetmja që nuk do ta shohë këtë është opozita.

Llatja u shpreh se “13 milionë euro është investimi, i cili është shtrirë në të gjithë Elbasanin dhe brenda vitit 2025 do të garantojë 24 orë ujë të pijshëm”.

Sipas tij, një herë e mirë do të hiqen depozitat nga tarracat e pallateve, të cilat përveç se të shëmtuara janë edhe të dëmshme për shëndetin.

Kryetari i bashkisë sqaroi qytetarët se uji i pijshëm do të kompensohet për familjet me ndihmë ekonomike në masën 5 m3, sasi e mjaftueshme e një familjeje për nevojat e saj.

“Nëse deri dje familjet me ndihmë ekonomike ujin e pijshëm e paguanin njësoj si familjet e tjera nga muaji korrik me të gjitha procedurat e AKUM të Tiranës ato do të përfitojnë 5 metra kub të parë pa pagesë, zero, është një shifër normale për konsumin e një familje në Elbasan”, tha Llatja.

Ai shtoi se janë mbi 4000 familje në Elbasan që përfitojnë drejtpërdrejtë nga subvencionimi i çmimit të ujit, kjo falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, e cila e ka futur këtë si model për subvencionimin e familjeve që janë në ndihmë ekonomike, apo në nevojë ekonomike.

Me tej, Llatja shtoi se këshilli bashkiak i Elbasanit nuk merr vendim për rritjen e çmimit të ujit, por jep pëlqimin dhe më pas ky vendim i takon ERRU.

“Patjetër që edhe me rritjen që është propozuar nga Ujësjellësi dhe që miratohet nga Enti Rregullator i Ujit dhe nuk miratohet nga këshilli bashkiak dhe unë nuk e kuptoj pse anëtari i këshillit bashkiak gjatë të gjithë kohës e anashkaloi si procedurë ligjore. Këshilli bashkiak i Elbasanit jep një mendim të vetin për propozimin që ka bërë Ujësjellës Kanalizime i Elbasanit dhe dhënia e mendimit pozitiv apo negativ është një procedim që në fund merret në shqyrtim nga Autoriteti Rregullator i Ujit dhe nuk është këshilli bashkiak që e vendos”, tha Llatja./ata