Nga sot ka nisur qarkullimi i mjeteve në tunelin e Llogorasë, 5.9 km i gjatë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi atë një vepër historike, i cili do të lidhë Detin Adriatik me Jonin.

Në një intervistë në medie, Balluku tha se tuneli është qendra e projekteve infrastrukturore në jug.

“Gjatë dy muajve të fundit që kemi qenë të përqendruar këtu sa i përket ndikimit të këtij tuneli si vepër infrastrukturore në ekonominë shqiptare. Duhet të kemi parasysh që ky është një tunel i gjatësisë së madhe, sipas kritereve evropiane, që do të lidhë perlën e rivierës shqiptare, që është pjesa e Dhërmiut, Palasës deri në Sarandë me pjesën tjetër të Vlorës. Dikush tha që është tuneli që lidh dy detet. Ky është një materializim i lidhjes së Jonit me Adriatikun”, u shpreh ajo.

Balluku shtoi se tuneli është pjesë e një kurore infrastrukture që po ndërtojmë prej vitesh në jug, që ka të bëjë me autostrada që janë pjesë të Korridorit Blu, siç edhe aeroportin e Vlorës që dorëzohet në fund të këtij viti dhe fillojnë operimet verën e vitit tjetër.

“Tuneli është qendra e këtyre zhvillimeve infrastrukturore dhe ndikimi ekonomik do të jetë i jashtëzakonshëm”, theksoi ministrja.

Balluku informoi se për të kaluar Llogoranë duheshin 45 minuta për automjetet e vogla, ndërsa për autobusët një orë.

“Siguria rrugore, që sa herë jemi munduar ta mirëmbanim, ishte e vështirë për shkak të kthesave. Sot do të kemi një akses të plotë në kushte sigurie dhe është vetëm 7 minuta kalimi”, tha Balluku./ata