Banka e Shqipërisë ka refuzuar ankimimin administrativ të dy institucioneve mikrofinanciare, Micro Credit Albania dhe Final për shfuqizimin e vendimit mbi revokimin e licencës.

Në Fletoren Zyrtare janë botuar argumentet e Bankës së Shqipërisë, ku ndër të tjera thuhet se “në lidhje me detyrimet që duhet të përmbushte pas pezullimit të aktivitetit, Banka e Shqipërisë ka deklaruar se administratori i MCA nuk ka raportuar ose nuk i është përgjigjur personalisht Bankës mbi plotësimin e detyrimeve. Më tej, edhe dërgimi i vendimit për revokimin e licencës është kthyer mbrapsht 2 herë nga shërbimi postar, pasi subjekti nuk gjendej në adresat e deklaruara”.

Vendimi i Bankës për pezullimin e veprimtarisë në fund të vitit 2022, nuk është ankimuar në gjykatë nga “Micro Credit Albania” në atë kohë, duke pranuar në këtë mënyrë se vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë ka qenë e drejtë. Ky subjekt nuk mori asnjëherë masa për eliminimin e shkeljeve dhe as nuk angazhoi strukturat e nevojshme për eliminimin e tyre. Për më tepër, ortakja e MCA i ka kërkuar vetë Bankës Qendrore në prill të këtij viti, që të lejojë dorëzimin e licencës nga MCA-ja.

Dy subjektet financiare jobanka, Micro Credit Albania dhe Final, janë bërë bashkë për të ankimuar vendimin e Bankës së Shqipërisë mbi revokimin e licencave të tyre. Këto dy institucione kërkojnë shfuqizimin e vendimit për heqjen e licencave, me pretendimin se Banka Qendrore nuk ka respektuar procedurat e parashikuara nga kuadri ligjor lidhur me vendimmarrjen përkatëse.

Banka e Shqipërisë në maj të këtij viti, mori vendimin për revokimin e licencave të dy subjekteve financiare jobanka, Micro Credit Albania (MCA) dhe Final, pasi kanë vepruar në shkelje të kërkesave rregullatore për një kohë të gjatë dhe ortakët e të dy shoqërive, u vendosën në masë arresti nga Prokuroria e Tiranës, si pjesë e skemës së mashtrimit financiar dhe praktikës abuzive në mbledhjen e borxheve të këqija.

Ndërkohë Banka e Shqipërisë po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania”./ata