Autortieti Rrugor Shqiptar ka lidhur kontratat, që i hapin rrugë nisjes së punimeve në 2 rrugë kombëtare. Kontrata e parë përfshin aksin rrugor Kombinat – Ndroq – Plepa dhe ka një vlerë prej rreth 6.8 mln euro, ndërsa kontrata tjetër përfshin aksin Berat – Ballaban.
Punimet në rrugën e Ndroqit do të kryhen nga bashkimi i operatorëve “Arifaj” dhe “Eurokos Holding”, dega në Shqipëri, ndërsa përfshijnë vetëm lotin 1, çka sugjeron se një tjetër procedurë do të duhet të zhvillohet për pjesën tjetër të rrugës.
Rikonstruksioni i rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa vjen në një kohë me punimet që do të kryhen për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës, duke shërbyer si një alternativë për të aksesuar qytetin bregdetar dhe anasjelltas.
Ndërkaq, sa i takon aksit Berat – Ballaban, vlera e kontratës është rreth 20 mln euro, ndërsa punimet do të kryen nga bashkimi i operatorëve “G. P. G. Company”, “Vega” dhe “NG Structures”. Edhe në këtë rast objekt i saj është loti 1 i rrugës.
Vitin e kaluar për këtë rrugë u lidh kontrata edhe për lotin 3, teksa përmirësimi i këtij aksi shkurton kohën dhe distancën e udhëtimit automobilistik ndërmjet bashkive Përmet, Tepelenë, Memaliaj dhe Gjirokastër me bashkinë Berat, ndërsa pritet të krijojë akses më të afërt edhe me shtetin fqinj Greqinë, nëpërmjet pikës doganore “Tre Urat”./Scan