Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimit të nisur ğer çeshtjen e kompanise “5D Konstruksion” , që lidhet me drejtorët e ndaluar të Bashkisë së Tiranës, ka kryer edhe hetim pasuror.

Sipas SPAK, nga hetimi ka rezultuar se një pjesë e shumave të përfituara nga kompania, nga fondet publike në formë tenderi, janë vendosur jashtë sistemit bankar, në formë cash dhe janë përfituar nga pronari real i kompanisë në fjalë.

SPAK, po ashtu njofton se ka kërkuar vendosjen e masë së sigurimit “Sekuestro preventive” për disa pasuri të kompanisë dhe pronarëve të saj. Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka pranuar kërkesën më datë 5 korrik 2024, ndërsa në bashkëpunim me Policinë është ekzekutuar masa e sekuestros preventive për disa pasuri të kompanisë.

SPAK njofton se veprat penale mbi të cilat po hetohet janë: “Refuzimi për deklarimin, mos deklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë dhe në ankande publike”, “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.

SPAK thekson se ka kryer hetim pasuror të kompanisë.

“Nga ana e organit procedues janë kryer veprime të mëtejshme hetimore për të përcaktuar shumat monetare që janë përfituar nga shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k. si rezultat i realizimit të kontratave publike të përfituara në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e prokurimit publik, si dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme që përbëjnë veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Po kështu, janë kryer veprime hetimore për të verifikuar mënyrën e qarkullimit të shumave monetare që përbëjnë “produkt” të veprës penale, duke përfshirë veprimet financiare të kryera nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k brenda aktivitetit të saj tregtar, si dhe destinacionin e shumave monetare të transferuara nga shoqëria tregtare në drejtim të subjekteve të tjera tregtare apo në drejtim të personave të tretë. Nga veprime hetimore të kryera në këtë drejtim janë mbledhur provat e nevojshme nga të cilat krijohen dyshime të arsyeshme se, shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k që përbëjnë “produkt” të veprës penale, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktike duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme. Janë mbledhur prova të mëtejshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm  se shumat monetare të përfituara në gjendje “cash” janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme”, vijon SPAK.

“Pasi janë kryer veprimet hetimore të nevojshme Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në datën 24.06.2024, kërkesën për vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për disa pasuri që mundet të konfiskohen. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.388, datë 05.07.2024, ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme dhe caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.

SPAK njofton se, hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.

 Pasuria e vendosur në “Sekuestro Preventive”

  1. Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si shoqëri tregtare që është përdorur dhe ka shërbyer si mjet për të realizuar veprat penale, që lejohet të konfiskohet sipas nenit 36/1, shkronja (a) të Kodit Penal.
  2. Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
  3. Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
  4. Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në Kodin Penal.
  5. Pasuria 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në Kodin Penal.
  6. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², me emërtimin B_43, si dhe pasuritë parkim Nr.P24 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m² dhe parkim nr.P25 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m², për të cilat është lidhur kontrata e sipërmarrjes midis shtetases S.Q. dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
  7. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², me emërtimin A_42, për të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes datë 29.09.2023 midis shtetases S.Q dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet./ata