Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, organizuan sot tryezën me temë “Zgjedhjet 2025: Çfarë duhet të bëjë KQZ-ja për të përmirësuar administrimin e zgjedhjeve”.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran në fjalën e hapjes në këtë tryezë deklaroi se, reforma zgjedhore duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë

Tarran tha se, qëllimi i këtij takimi është të evidentojmë dhe diskutojmë çështjet që ndikojnë tek administrimi i efektshëm i procesit zgjedhor të vitit 2025.

“Me afrimin e zgjedhjeve për Kuvendin është shumë e rëndësishme t’i trajtojmë këto çështje sipas përparësisë në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it me qëllim përmirësimin e procesit zgjedhor”, u shpreh ai.

Tarran theksoi se, “diskutimet e ditës së sotme janë tejet të rëndësishme pasi trajtojnë sfidat dhe mundësitë kryesore në kuadrin e administrimit të zgjedhjeve”

“Duhet të kuptojmë sa më mirë vështirësitë që hasim gjatë procesit nga pengesat administrative tek ato teknologjike dhe arsimore, në mënyrë që të kemi përmirësim të vazhdueshëm”, tha ai.

Tarran shtoi se, KQZ ka treguar vullnet për të përmirësuar më tej funksionimin e institucionit dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e gatshme ta ndihmojë sipas nevojës.

“Presim me padurim të diskutojmë sesi institucionet publike i administrojnë denoncimet gjatë fushatave zgjedhore dhe rrugët për të përmirësuar raportimin si edhe sfidat në lidhje me administrimin zgjedhor, besueshmërinë e votimit elektronik, mbikëqyrjen e fushatave të partive politike nga ana e KQZ-së dhe përmirësimin e edukimit zgjedhor për pakicat dhe për personat me aftësi të kufizuara”, u shpreh Tarran./ata