Gjermania po përgatitet sërish për reshje të tjera të dendura të enjten, një ditë pasi stuhitë shkaktuan përmbytje të përhapura dhe reagime të shumta emergjente në disa pjesë të Gjermanisë.

Në qytetin jugperëndimor të Rastatt, që ndodhet 90 kilometra në perëndim të Shtutgartit, stuhitë dhe shiu i dendur shkaktuan rreth 100 thirrje urgjente pasi bodrumet dhe nënkalimet ishin mbushur me ujë, sipas policisë.

Nuk raportohet për të lënduar, por priten dëme të konsiderueshme materiale.

Ndërkohë, shirat e dendur kanë bërë që uji të rrjedhë në raftet e Bibliotekës Qendrore dhe Rajonale të Berlinit (ZLB). Në një postim në Instagram nga biblioteka, punonjësit u panë duke nxjerrë ujë nga ndërtesa me kova.

“Këtu ka qindra mijëra libra, disa prej të cilëve janë të vjetër dhe në rrezik të madh”, tha drejtori i ZLB-së Jonas Fansa.

Në shtetin gjerman të Hesse, stuhitë e forta dhe përmbytjet çuan në ndërhyrje të shumta policore dhe shërbimet e urgjencës hoqën pesë pemë të rrëzuara nga dy autostrada.

Në rajonin lindor të Saksonisë, një tren u përplas me dy pemë të rrëzuara, por nuk doli nga shinat./ata