Opozita ka zyrtarizuar kandidaturën e Petro Gjikurisë në zgjedhjet e 4 gushtit për bashkinë e Himarës.
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa bëri të ditur se Gjikuria është një qytetar model që ofron punë, zgjidhje, demokraci.
“Votohet për një kryebashkiak që do përfaqësoj me dinjitet kudo Himarën. Votohet për një model kundra korrupsionit, për një kryetar që nuk vjedh pronat e qytetarëve për pushtetin, për një kryetar që di të menaxhoj, për një kryetar që di të pres qytetarët si të barabartë pavarësisht bindjeve politike apo përkatësive të ndryshme”, u shpreh ajo.
Sipas Zhupës, më 4 gusht i japim përgjigjen e merituar rrëmbimit të mandatit të kryetarit të bashkisë me të emëruar të pushtetit që kanë rrëmbyer pronat dhe që zyrën e vërtetë e kanë në qeli.
Edhe partia e PBDNJ-së dhe OMONOIA, kanë konfirmuar kandidaturën e Petro Gjikurisë.
Vetë Petro Gjikuria në një postim në rrjetet sociale, ka shprehur objektivat e tij në garën për zgjedhje si kryetar i bashkisë Himarë.
“Më 4 gusht nuk votojmë për të zgjedhur kryeministër, votojmë për kryetar bashkie. Votojmë për të nesërmen e Himarës. Jemi të gjithë banorë të Himarës dhe nuk duhet të lejojmë askënd të na përçajë, sado lart qoftë ai. Mbi të gjitha dhe para së gjithash është interesi i zonës. E nesërmja për bashkinë Himarë ka program, atë që vendosën qytetarët me shumicë votash në maj të vitit të kaluar”, shkruan Gjikuria në rrjetet sociale./ata