Kampionati Europian është duke shkuar drejt fundit, pasi ka mbetur tashmë edhe ndeshja finale mes Anglisë e Spanjës, e cila do të përcaktojë dhe mbretëreshën e ardhshme të kontinentit të vjetër.

 

Në këtë finale, do të luhet edhe për Këpucën e Artë të Europianit. Futbollisti i Spanjës, Dani Olmo kryeson listën e golashënuesve me 3 gola, ndjekur nga sulmuesi anglez Harry Kane. Edhe Kane ka shënuar 3 gola, por se është pas në renditje, për shkak se ka më pak asist (asnjë asist për Kane dhe dy për Olmo).

Një statistikë interesante dhe lavdëruese vjen në këtë Europian për Bundesligën. Kjo, pasi lojtarët që luajnë në kampionatin gjerman kanë shënuar më tepër gola. Bayern Munich dhe Borussia Dortmund janë skuadrat që kanë dhënë më shumë gola në Euro 2024.

26 gola janë shënuar nga lojtarë që luajnë në Bundesliga, 11 gola më tepër se futbollistët që luajnë në Seria A e në Premier League dhe 12 më shumë se lojtarët që luajnë në La Liga. Në mesin e atyre që luajnë në Bundesliga dhe kanë realizuar gol në Euro 2024 është edhe lojtari i Kombëtares Shqiptare, Klaus Gjasula. Gjasula shënoi golin e barazimit ndaj Kroacisë, sfidë që përfundoi 2:2./BalkanWeb