Nga dita e parë e hapjes, 5 korrik, e deri më sot rreth 70 mijë automjete kanë kaluar në tunelin e Llogorasë.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, i cili ndau pamje nga qarkullimi i mjeteve në tunel.
“Sipas të dhënave nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në total që nga dita e hapjes së tunelit e deri më sot janë regjistruar afro 70 mijë automjete që kanë kaluar nga Tuneli i Llogorasë, duke dëshmuar dukshëm për frekuentimin në masë të kësaj rruge te re që po shkurton distancat dhe lehtëson fluksin e sezonit turistik”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “Policia e Shtetit dhe Shërbimi Zjarrfikës janë angazhuar për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin normal të automjeteve që zgjedhin të kalojnë nga Tuneli i Llogorasë, ku të gjithë drejtuesit e mjeteve duhet të kufizojnë detyrimisht shpejtësinë dhe të zbatojnë urdhrat e udhëzimet përkatëse për të shmangur çdo lloj incidenti”.
Tuneli monitorohet 24/7 edhe nga njësia e lëvizshme e Trupës së Ndërhyrjes Teknike (Policia, Zjarrfikësja, Urgjenca).
Tuneli i Llogorasë në Vlorë, me gjatësi 5.9 km, është vepra më e rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit, që shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut. Distanca e udhëtimit në këtë segment llogaritet 7-10 minuta, nga rreth 40 minuta që përshkohej nga Qafa e Llogorasë./ata