Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se rritja ekonomike në Shqipëri gjatë vitit 2022 ishte 4.8 %, ndër më të lartat në rajon, përjashtuar Malin e Zi.

 

Në konferencën për shtyp mbi zhvillimet në ekonomi gjatë muajve të parë të këtij viti, Ibrahimaj tha se kjo rritje ekonomike ishte përtej jo vetëm parashikimeve të qeverisë, por edhe partnerëve financiarë ndërkombëtarë.

 

“Rritja ekonomike në vend në vitin 2022 rezultoi 4.8%, ndjeshëm më e lartë se ajo që kishim planifikuar jo vetëm ne, por të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Këtë vit ne vijojmë t’i qëndrojmë parashikimit për një rritje ekonomike 2.6 %”, tha ministrja.

 

Sipas saj, të ardhurat vijuan të rriten me ritme të përshpejtuara gjatë tremujorit të parë, në krahasim me vitin e kaluar.

 

“Të ardhurat rezultojnë 16.2 miliardë lekë më të larta në 3-mujorin e parë, krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2022. Të ardhurat nga TVSH shënuan rritje me 16.7 %. Kjo taksë të jep të dhëna për të kuptuar ecurinë e ekonomisë që lidhet me aktivitetin ekonomik dhe konsumin. Niveli i rritjes së të ardhurave nga TVSH është ndjeshëm më i lartë se shifra e inflacionit 6.5 % në 3-mujorin e parë“, tha Ibrahimaj.