Në shtator shkolla “Llazar Kuli” në Perondi të Kuçovës do të hapë dyert me kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga shkolla, e cila ka përfunduar rikonstruksionin falë një investimi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me pushtetin vendor.
“Shkolla e rilindur “Llazar Kuli” në Perondi të Kuçovës do të hapë dyert në vitin e ri shkollor për nxënësit dhe mësuesit”, shkruan Rama.
Ky investim ka krijuar kushte moderne dhe komode për nxënësit dhe stafin e shkollës, duke përfshirë 12 klasa dhe laboratorë për Kiminë, Biologjinë, Fizikën dhe TIK-un.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu inspektoi dje shkollën “Llazar Kuli” në Perondi, Kuçovë ku theksoi se “në Kuçovë do të kemi edhe një investim të ri, një tjetër shkollë, e cila fillon së shpejti rehabilitimin që është shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi”.
Gjatë këtij viti përfundojnë rreth 100 shkolla dhe terrene të reja sportive, investime të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë./ata