Qytetarët dhe bizneset nuk po I paguajnë në kohë kreditë e tyre. Numri i kredive me probleme ka pësuar rritje në muajin prill, pas një trendi rënës që u vërejt në tremujorin e parë të vitit. Nga të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë treguesi i kredive me probleme ka arritur në 4.82%, duke u rritur nga 4.64% që ishte në muajin mars.

Kjo rritje reflekton një përkeqësim të situatës së kredive në tregun bankar shqiptar. Segmenti kryesor ku është vërejtur rritja e kredive me probleme është kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme në euro, veçanërisht tek individët. Kjo tregon se qytetarët dhe bizneset po hasin vështirësi në përmbushjen e detyrimeve të tyre financiare për blerjen e pronave në këtë monedhë.

Në përpjekje për të menaxhuar situatën dhe për të mbledhur kreditë e këqija, Banka Qendrore ka vendosur masa të reja. Në rastet kur shoqëritë për blerjen e kredive problematike humbin licencën, do të emërohet një likuidator për të mbledhur këto kredi. Likuidatori do të veprojë sipas një plani të përcaktuar, duke ruajtur edhe provat e nevojshme për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent të mbledhjes së kredive.

Këto masa synojnë të sigurojnë një menaxhim më të mirë të kredive me probleme dhe të stabilizojnë situatën në tregun bankar. Banka e Shqipërisë vazhdon të monitorojë nga afër zhvillimet dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e sektorit bankar dhe të qytetarëve./Tema