Gjysma e parë e vitit ka regjistruar më pak prona të shitura krahasuar me periudhën paraardhëse. Sipas një vrojtimi të kryer me agjentë të pasurive të paluajtshme nga Banka e Shqipërisë, numri i subjekteve që kanë kryer shitje ishte disi më i ulët se ai i gjashtëmujorit të kaluar.

Numri i përgjithshëm i pronave të shitura ishte 928, një vlerë kjo gjithashtu më e ulët nga periudha e mëparshme. Ndërkohë, shifra mesatare e pronave të shitura nga çdo subjekt gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2024 rezultoi në rreth 5, nga vlera 7 e raportuar gjatë gjysmës së dytë të vitit 2023.

Megjithëse pronat e vendosura në qendër dhe në periferi të qyteteve rezultojnë sërish me numrin më të lartë të shitjeve, pronat jashtë qytetit kanë regjistruar rritjen më të madhe. Kjo tregon se gjithnjë e më shumë persona po preferojnë ose e konsiderojnë më të përballueshme blerjen e një banese larg zhurmave të qytetit.

Konkretisht, rreth 35% e shitjeve të realizuara gjatë gjashtëmujorit të parë 2024 në të gjithë territorin përfaqësohet nga ato të vendosura në zonat më të preferuara brenda qytetit, nga 43% që ishte gjatë periudhës paraardhëse, 43% e pronave të shitura kanë qenë të ndërtuara në periferi, brenda qytetit, nga 48% në periudhën e kaluar dhe rreth 22% të ndërtuara jashtë qytetit, nga 9% gjashtëmujorin e kaluar.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra shumë lehtë në 10.5 muaj nga 10.9 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Për Tiranën, koha mesatare e shitjes është rritur lehtë, nga 8.3 në 9.7 muaj. Koha mesatare e shitjes në zonat bregdetare është shkurtuar ndjeshëm, në 5.9 nga 10.9 muaj që ishte, ndërsa për zonat e tjera kohëzgjatja e shitjes ishte vetëm pak më e shkurtër sesa në gjashtëmujorin e kaluar, duke rënë nga 13.6 në 12.9 muaj./Scan