Turqia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare.

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi raportin mbi tregtinë e jashtme për periudhën janar-shtator, sipas të cilit Turqia renditet partneri i tretë tregtar, duke zënë 8.1 % të vëllimit.

Shkëmbimet tregtare me Turqinë në 9-mujorin e këtij viti, kanë arritur 76.6 miliardë lekë.

Referuar të dhënave për periudhën janar-shtator eksportet shqiptare drejt Turqisë llogariten 3 miliardë lekë, në të njëjtin nivel me një vit më parë, ndërsa importet për periudhën 9-mujore llogariten mbi 73.6 miliardë lekë.

Nga Turqia, janë importuar 21.8 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale, si dhe 8.7 miliardë lekë tekstile dhe këpucë. Ndërkohë importi i produkteve kimike dhe plastike llogaritet 9.1 miliardë lekë.

Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason.

Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, të nënshkruar në 2006-n, dhe e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre.

Eksportuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore.

Eksportet e produkteve industriale me origjinë shqiptare janë të liberalizuara. Ndërkohë, për produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra-tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore./ata