Ai gol i Rimal Haxhiut në minutat e fundit të transfertës në Gjeorgji mban me shpresë Tiranën për një kualifikim të mundshëm në turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës.


Barazimi 1-1 në ndeshjen e parë me Torpedo Kutaisi duket një rezultat i mirë për bardheblutë, duke qenë se është arritur jashtë fushe, por të enjten do të jetë shumë e vështirë në “Elbasan Arena” ndaj gjeorgjianëve për kryeqytetasit. Tirana është një skuadër e krijuar rishtazi dhe duhet të bëjë ndeshjen perfekte për të vazhduar aventurën europiane.

TRI PËRFORCIME – Në ndeshjen e javës së kaluar stafi teknik i Tiranës nuk kishte në dispozicion tre lojtarë të kontingjentit aktual. Ata janë dy kosovarët Mustafë Abdullahu dhe Qendrim Ismajli, si dhe nigeriani Abel Abah. Që të tre këta lojtarë nuk udhëtuan bashkë me skuadrën, sepse nuk u pajisën me vizën përkatëse për të shkuar në Gjeorgji, kurse të enjten do të jenë të gatshëm për ndeshjen e kthimit. Për portën nuk ishte dhe nuk është problem në fakt, pasi Tirana ka në skuadër Selmanin, titullar në Gjeorgji, por edhe Kozin, ndërsa Ismajli dhe Abah mund ta ndihmonin skuadrën në atë ndeshje. Në Elbasan ata do të jenë dy “armë” plus për trajnerin Bledi Shkëmbi në sfidën e kthimit.

NJË NDRYSHIM – Gazeta mëson se në krahasim me ndeshjen e luajtur në Gjeorgji mund të ketë vetëm një ndryshim në formacionin e Tiranës. Qendrim Ismajli ka gjasa të mëdha ta nisë nga minuta e parë kundër Torpedo Kuitasit. Me aktivizimin e mundshëm të tij, në stol do t’i takojë të ulet Jordi Jakut. Ismajli ka si rol natyral atë të mbrojtësit të krahut të majtë, por mund të luajë edhe në mesfushë, ku Tirana ndoshta ka më shumë nevojë. Pjesa tjetër e skuadrës pritet të jetë po ajo që zbriti në fushë nga minuta e parë javën e kaluar. Trajneri Bledi Shkëmbi dhe stafi i tij kanë edhe tri ditë kohë për të përgatitur në detaje ndeshjen e kthimit.

Te Tirana e din mirë forcën e kundërshtarit dhe së pari duhet të marrin masat për të mos pësuar gol e më pas për të shënuar dhe kualifikuar në turin e dytë. Në këtë logjikë, bardheblutë priten të rreshtohen me një mbrojtje të ngjeshur për t’i besuar kundërsulmit, apo edhe goditjeve standarde, që vendosin shumë në ndeshje të tilla. Fokusi bardheblu është i gjithi te përballja e së enjtes, ku kualifikimi do të sillte të mira në çdo aspekt për klubin më të titulluar në vend./Panorama