Kuvendi miratoi në seancën e sotme plenare 11 pr/rezoluta për veprimtarinë e vitit 2023 të institucioneve të pavarura të mbartura nga seanca e shkuar.
Kështu sot u miratua me 73 vota pro dhe 1 abstenim projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm për vitin 2023.
Kuvendi miratoi me 75 vota pro dhe 1 kundër projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2023.
Gjithashtu sot u miratua me 72 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2023.
Me 72 vota pro dhe 1 kundër u miratua projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2023.
Kuvendi miratoi me vota 72 pro dhe 1 kundër edhe projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2023.
Sot u miratua me 72 vota pro dhe 1 abstenim edhe projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2023.
Gjithashtu u miratua me 73 vota pro dhe 1 kundër projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2023.
Kuvendi miratoi me 73 vota pro projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për viti 2023 .
Sot u miratua me 72 vota pro dhe 1 kundër projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2023.
Gjithashtu Kuvendi miratoi me 72 vota pro dhe 6 kundër projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Statistikave për vitin 2023.
Kuvendi miratoi me 72 vota pro dhe 1 kundër projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2023.
Gjithashtu sot u miratuan edhe 5 pr/ligje.
Kuvendi miratoi me 95 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane, dhe Komisionit Evropian për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri 2021-2027.
Sot u miratua me 96 vota pro edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) URBACT IV 2021-2027”.
Kuvendi miratoi me 97 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Italisë, përfaqësuar nga Rajoni i Emilia Romagna-s, dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg (Interreg VI-B) IPA Adriatik – Jon”.
Gjithashtu sot u miratua me 91 vota pro projektligji “Për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për themelimin e Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV)”.
Kuvendi miratoi me 98 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës Helene dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar (Interreg VI-A) IPA Greqi-Shqipëri 2021-2027”.
Gjithashtu sot u hodhën për votim edhe 7 pr/vendime.
Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e avokatëve sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar” (raundi i tretë) nuk u miratua pasi mori vetëm 68 vota pro, 2 abstenim dhe 3 kundër, duke mos arritur shumicën e kërkuar.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se, nëse Kuvendi nuk arrin 2/3-at në votimin e tretë atëherë kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Si rrjedhojë kandidatët Bledar Bajri dhe Albens Tabaku zgjidhen anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Edhe projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar” (raundi i tretë) nuk u miratua pasi mori vetëm 66 vota pro, 5 abstenim dhe 1 kundër, duke mos arritur shumicën e kërkuar.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se, nëse Kuvendi nuk arrin 2/3-at në votimin e tretë atëherë kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Si rrjedhojë kandidatët Erind Mërkuri dhe Erind Gërmenji zgjidhen anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Kuvendi miratoi me 90 vota pro, 1 abstenim dhe 4 kundër projektvendimin “Për ngritjen e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik”.
Kuvendi miratoi me 95 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim projektvendimin “Për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor “Për shërbimet publike të sterilizimit dhe të Check-up-it në shëndetësi”.
Kuvendi miratoi me 84 vota pro, 1 abstenim projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 70/2021 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”, sipas të cilit deputeti Petro Koçi caktohet nga anëtar, në anëtar zëvendësues në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Kuvendi miratoi me 89 vota pro dhe 1 kundër projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 70/2021 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar” sipas të cilit deputeti Frok Gjini caktohet anëtar zëvendësues në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe Komisionin për Sigurinë Kombëtare
Kuvendi miratoi me 87 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 19/2024 “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimin Publik të Check-up në Shëndetësi”, sipas të cilit deputetja Lindita Buxheli caktohet anëtare zëvendësuese në Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimin Publik të Check-up në Shëndetësi në vend të deputetit Lavdrim Krashi./ata