Kristela Vesho, 28 vjeç, pjesë e Programit të Mbrojtjes Sociale për personat me aftësi të kufizuar, ka një vit që punon në qendrën komunitare QKPAK.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu solli sot dëshminë e Kristelës, e cila ka përballuar sfidat e jetës me guxim dhe nuk ka kthyer asnjëherë kokën pas.

Koçiu tha se Kristela dëshmon se me mbështetjen e duhur, gjithçka është e mundur.

“Politikat tona sociale sot janë të fokusuara në implementimin e programeve aktive të punësimit për PAK. Reforma e sistemit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar ka krijuar një rrjet referimi dhe mentorimi social për të gjithë PAK të vlerësuar nga komisionet multidisiplinare, duke i drejtuar ata drejt punësimit, arsimit dhe shërbimeve rehabilituese”, theksoi Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “gjatë muajve janar-maj, 273 persona kanë përfituar nga programet e punësimit: 61 në programe nxitje punësimi, 153 në punësim dhe 59 në formim professional. Në periudhën janar-qershor janë referuar për shërbime sociale dhe rehabilituese 1,111 PAK”.

“MSHMS do të vijojë të mbështesë dhe fuqizojë çdo individ, ashtu si Kristela, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Koçiu.

Në videon e publikuar nga Koçiu Kristela Vesho tha se “kam një vit që punoj në në qendrën komunitare QKPAK me mbështetjen e qeverisë. Jam shumë e lumtur, i ftoj të rinjtë si unë të aplikojnë për punësim”.

Marsela Lekli, psikologe tha se: “kam 15 vite që merrem me problem me shëndetin mendor. Në qendër ofrojmë shërbime të ndryshme për fëmijë dhe të rinj si dhe të vegjël, janë rreth 120 fëmijë, një pjesë që marrin shërbimin ditor pjesa tjetër marrin shërbim terapeutik. Prej disa muajsh në qendrën tonë janë punësuar 3 të rinj që janë me profesione të ndryshme , dy prej të cilëve kujdestarë dhe një psikologe, e cila është kthyer në një motivim force edhe për stafin dhe qendrën duke përcjellë një mesazh apo motivim për personat e tjerë të cilët për pamundësi apo painformim se ku mund të drejtohen për t’u integruar qoftë në tregun e punës, apo punësim , në shkollë apo arsim mund të jetë modeli që ne ofrojmë këtu në qendër bashkë më të rinjtë tanë”./ata