Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se, armëmbajtja pa leje mbetet një sfidë e rëndësishme e punës së përditshme të Policisë së Shtetit.
Në fjalën e tij në Kuvend ku u shqyrtua ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Moldavisë, për të thelluar bashkëpunimin policor, ministri tha se po punohet çdo ditë për të intensifikuar këtë bashkëpunim me shumë aktorë.
Duke kërkuar votën e deputetëve për këtë marrëveshje, nënvizoi se fenomeni i armëmbajtjes pa leje mbetet një sfidë e rëndësishme e punës së përditshme të Policisë së Shtetit ku kërkohet më shumë prezencë e Policisë për ta luftuar këtë fenomen.
“Dua të kërkoj miratimin tuaj për ratifikimin e marrëveshjes mes Këshillit të Ministrave të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Moldavisë për të thelluar bashkëpunimin policor. Po punojmë çdo ditë për të intensifikuar bashkëpunimin policor jo vetëm me organizatat, agjencitë ndërkombëtare partnere sikurse është Interpol, Europol, Eurojust, por edhe me vende të ndryshme. Do të vijmë shumë shpejt në Kuvend me marrëveshje të ngjashme bashkëpunimi policor edhe me vende të tjera duke u fokusuar te lufta kundër krimit të të gjitha formave. Dhe natyrshëm për rritjen e sigurisë dhe të rendit publik”, tha ai.
Balla sqaroi se, “kjo marrëveshje synon bashkëpunim më të mira me këtë vend, në veprat penale që lidhen me krimin kufitar, kundër jetës, shëndetit, integritetit fizik të personit, me prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, ku i kemi vendosur një rëndësi të veçantë edhe sfidave të reja që vijnë sa i përket lëndëve narkotike sintetike, pra drogave sintetike, pastrimi i parave, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, shfrytëzimi seksual i fëmijëve, vjedhja dhe trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, municioneve, eksplozivëve, substanca radioaktive”.
Ministri nënvizoi se armëmbajtja pa leje mbetet një prej burimeve kryesore të ngjarjeve të rënda kriminale dhe kjo gjë kërkon më shumë fuqi parandaluese nga Policia e Shtetit.
“Fenomeni i armëmbajtjes pa leje mbetet një sfidë e rëndësishme e punës së përditshme të Policisë së Shtetit ku kërkohet më shumë prezencë e Policisë së Shtetit për ta luftuar këtë fenomen. Armëmbajtja pa leje mbetet një prej burimeve kryesore të ngjarjeve të rënda kriminale dhe kjo gjë kërkon më shumë fuqi parandaluese nga PSH, më shumë inteligjencë policore për të identifikuar personat që mbajnë armë pa leje, në kroskote makinash, në ato çantat që varen pas krahëve dhe natyrshëm duke e luftuar këtë fenomen, ke parandaluar plot ngjarje të rënda kriminale, përfshirë këtu, edhe çështjet që lidhen me eksplozivët. Është një numër i konsiderueshëm armësh pa leje të sekuestruara nga PSH gjatë muajve të fundit, por kjo nuk është e mjaftueshme po t’i referohemi vlerësimit që vjen nga inteligjenca policore sa i përket përhapjes së fenomenit të armëmbajtjes pa leje”, tha Balla.
Ministri Balla u shpreh se, “kjo është një marrëveshje, e cila e rrit bashkëpunimin e Policisë së Shtetit edhe me një vend tjetër.
“Këto forma bashkëpunimi janë të mira edhe sa i përket shkëmbimit të informacionit dhe goditjes së grupeve kriminale. Krimi i organizuar nuk njeh kufij, në këtë aspekt, sa më shumë marrëveshje të tilla aq më efektive bëhet puna e Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese”, tha ai./ata