Marrëveshja Kuadër e Bashkëpunimit Ushtarak Shqipëri-Turqi synon të forcojë partneritetin mes dy vendeve në fushën e ushtrisë.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi duke marrë fjalën në Kuvend gjatë diskutimit të marrëveshjes së bashkëpunimit tha se, “Turqia është një shtet me të cilin kemi një bashkëpunim intensiv në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe emergjencave civile”.
Ministri solli në vëmendje mbështetjen që Turqia ka dhënë në ditë të vështira, siç ishte rasti i tërmetit të viti 2019 apo pandemisë COVID-19. Gjithashtu, vijoi ai, mbështetja e grantit prej 100 milionë lira turke është aktualisht në implementim për modernizimin e Forcave të Armatosura. Ndërsa në sajë të marrëveshjes ndërshtetërore Shqipëria bleu tre dronët Bajraktar.
Sa i takon fushës së arsimit dhe edukimit dhe trajnimit, Peleshi u shpreh se, “177 ushtarakë dhe mbi 4000 të tjerë kanë përfituar nga kurset afatshkurtra dhe afatgjata që janë zhvilluar në Turqi, por edhe në Shqipëri. Sot kemi 32 studentë, 1 specializant, 1 doktoraturë në mjekësi dhe 1 doktoraturë në Marrëdhënie Ndërkombëtare”.
Gjatë fjalës së tij, ministri tha se, Shqipëria merr pjesë në stërvitje të përbashkëta dhe në stërvitje në Turqi siç ishte edhe “Strong Ballkan”, që u zhvillua në Shqipëri me pjesëmarrjen edhe të personelit ushtarak nga Turqia.
“Jemi në angazhime të përbashkta operacione, siç është rasti i Afganistanit, ku kemi qenë sëbashku nën komandën turke deri në vitin 2021, edhe në angazhime të tjera në kuadër të Bashkimit Europian si ALTHEA në Bosnjë-Hercegovinë, në KFOR jemi nën komandën e një gjenerali turk. Ndërsa kemi zhvilluar takime të ndërsjellta të nivelit të lartë, unë kam takuar në një vizitë zyrtare homologun turk, kemi lidhur marrëveshje bashkëpunimi afatgjatë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, u shpreh Peleshi.
Ai tha se, bashkëpunimi mes dy vendeve ka vijuar në fushën e mbështetjes me trajtime mjekësore, ku në kuadër të protokollit “Gata” u rrit nga 30, në 100 numri i pacientëve të mbështetur nga ky protokoll.
Sa i takon bashkëpunimin në kuadër të Emergjencave Civile, ministri kujtoi se me qeverinë turke u ndërtuan 540 banesa në qytetin e Laçit, pas tërmetit, si dhe për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Fierit, teksa shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të mbështetur me ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura gjatë tërmetit shkatërrues në Turqi gjatë shkurtit të vitit 2024.
“Sot jemi në një realitet të ri, marrëveshja e vjetër duhet të rinovohet, sepse së pari, ne jemi një vend aleat në NATO dhe duhet të jetë e shprehur qartë në marrëveshje, në çdo 30 vite edhe për shkak të legjislacionit të qeverisë turke duhen bërë rifreskimet e marrëveshjeve. Kjo është një arsye teknike ligjore që na sjell sot këtu. Kemi 21 fusha bashkëpunimi, të cilat i kemi prekur këtu, përmenda grantin e rëndësishëm, stërvitjet edukimin ushtarak bashkëpunimin në fushën e mjekësisë dhe si e thashë, nuk po i citoj të gjitha, janë 21 fusha bashkëpunimi të marrëveshjes ekzistuse që sot vijnë rë rinovuara në këtë marrëveshje”, tha Peleshi./ata