Sekretari për Bujqësinë në Partinë e Lirisë, Edmond Panariti theksoi sot se buxheti i alokuar për bujqësinë për vitin 2025 mund të cilësohet si buxheti i pamjaftueshmërisë.

Në një deklaratë për shtyp Panariti tha se “në vlerë absolute është thuajse si buxheti i një viti më parë, pavarësisht se pretendohet se kemi 4% rritje. Duhet të kemi parasysh që brenda një viti kemi dhe 15% të shtrenjtimit të kostos së prodhimit dhe të çmimit të lëndëve të para, pra praktikisht ky buxhet është më i ulët po ta shikosh si kapacitet dhe fuqi investuese dhe blerëse”.

“Për këto arsye Bujqësia, në vitin 2023, u shoqërua me një rritje negative, – 0.36% ndërkohë që ekonomia në tërësi u rrit me 3%”, tha Panariti.

Më tej Panariti tha se “krediti agrar është i papërfillshëm, është në masën 1% dhe ai premtim që do të kemi gjenerim të kreditimit nga sistemet bankare nëpërmjet fondeve të garancisë sovrane nuk ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë për sa kohë që ne nuk amortizojmë faktorët e riskut që kërcënojnë bujqësinë, ku nuk investohet në fushën e mbrojtjes së bujqësisë nga dëmtuesit”.

“Pa katërfishim të fondeve për Bujqësinë, nuk mundet bujqësia të dalë nga gjendja e kolapsit  dhe programi i Partisë së Lirisë pikërisht këtë ka si lajmotiv, të rrisë masën e mbështetjes direkte për fermerët në gjithë degët kryesore të bujqësisë. Ne kemi një program shumë ambicioz për financimin e blegtorisë, ku do të kemi pesëfishim të pagesave për blegtorinë e imët, nga 12 euro për kokë, në 60 euro, po kështu do të kemi trefishim për pagesat direkte për lopët”, nënvizoi Panariti.

Ai theksoi se “bujqësinë do ta rimëkëmbim duke trefishuar, katërfishuar masat e financimit, duke i hequr barrën fiskale të papërballueshme, në mënyrë që të risjellim dhe njëherë aty ku e lamë para 4 vitesh, e më pas ta çojmë në nivele të tjera më lart”./ata