Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kongresin Zgjedhor të Partisë Socialiste foli lidhur me objektivat për mandatin e katërt si në infrastrukturë edhe në turizëm, teksa theksoi se “në mandatin e katërt do të çojmë deri në fund të gjitha ato që kemi thënë dhe i kemi nisur”.
“Korridori blu, i cili do të jetë i gjithë si aksi Thumanë-Kashar, nga Muriqani e deri në Kakavijë. Korridorin e 8 që po merr formë në zonën Elbasan-Pogradec, e me radhë të gjithë se po të rrimë ti numërojmë kantieret e hapura, financimet e gjetura dhe të vëna në dispozicion që presin garat do të duhet të rrimë deri nesër për ti numëruar. Do ta bëjmë brenda mandatit të 4 edhe pistën e garave të Formula 1 në Elbasan. Do ta fusim Shqipërinë në klubin prestigjioz të shteteve organizative ku zhvillohet Formula 1 me 1 miliard shikues të dielën”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “do të hapim vitin e ardhshëm edhe aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Do t’ua sjellim vlonjatëve turistët edhe me avion që t’ua vendosin çmimin e taksisë nga aeroporti në Vlorë më shumë se çmimin e biletës nga Londra në Vlorë. Vlonjatët, s’ke ça iu bën, ne shkojmë përpara ata shkojnë edhe më përpara, e kur ngelin thonë: “ore ku vatët?”.”
“Do hapim deri në fund të mandatit të katërt portin e ri tregtar dhe ushtarak të Durrësit ndërtimi i të cilit nis këtë mandat, gara shpallet këto ditë, kantieri do të hapet këtë mandat”, tha Rama.
Rama tha se do ta çojmë në 20 milionë numrin e turistëve të huaj.
“Do ta bëjmë Shqipërinë eksportuese neto të energjisë, duke i dhënë sigurinë e plotë energjetike si një vend që s’ka më nevojë të shtrijë dorën askund për të blerë energji”, theksoi Rama.
“Pas samitit të liderve të BE-së në Tiranë do të mikpresim në kryeqytet liderët e gjithë kontinetit. Kush tjetër mund ta vendoste Shqipërinë në harte si një vend i sigurt, tërheqës qoftë për qytetarët e botës, por edhe për udhëheqësit e botës demokratike”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “duam të vendosim qershinë mbi tortë në mandatin e katërt që të kemi në Tiranë Samitin e NATO-s. Kemi vënë kandidaturën për vitin 2027, nuk do iu ndahemi, do iu qepemi që t’i bindim se s’ka më mirë se Shqipëria. Nuk do t’i çojmë në Vlorë, s’po i bëj antireklamë Vlorës se gatuajnë shumë mirë, por më kanë mërzitur shumë me ato çmime”, tha Rama./ata