Kreu i Gjykatësë së Lartë, Sokol Sadushi, priti sot në zyrën e tij, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith, përpara se diplomati anglez të mbylli detyrën e tij në Shqipëri.

Gjykata e Lartë në një njoftim për mediat, ka dhënë detaje mbi atë çka është diskutuar. Sadushi dhe Ambasadori King Smith, konfirmuan vijimin e partneritetit, duke e vlerësuar atë si të rëndësishëm dhe afagjatë. Palët thanë se ky partneritet do të vazhdojë më tej, ndërsa u nivizua dhe fakti se Britania e Madhe siguron mbështetjen e vazhdueshme për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

“Dëshiroj të theksoj mbështetjen dhe inkurajimin tuaj të palëkundur për fillimin e Projektit të Partneritetit Gjyqësor Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri në maj 2024”, është shprehur Sadushi gjatë takimit.

“Kam vlerësuar shumë personalisht ndërveprimet tona dhe njohuritë që keni ndarë. Aftësia juaj për të trajtuar çështje të ndërlikuara ndërkombëtare ka fituar respekt dhe admirim të lartë nga të gjitha palët”, nënvizon Sadushi./ata