30 korriku njihet si Dita Ndërkombëtare Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. E miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në vitin 2013, në rezolutë shkruhet se, një ditë e tillë ishte e nevojshme për të rritur ndërgjegjësimin mbi gjendjen e viktimave të trafikimit njerëzor dhe për promovimin, mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Këtë vit, vëmendja është drejtuar tek fëmijët që janë viktima të trafikimit. Në nivel global, një në tre viktima të trafikimit të qenieve njerëzore është fëmijë dhe shumica e këtyre fëmijëve të trafikuar janë vajza.
Sipas Raportit Global mbi Trafikimin e Njerëzve (GLOTIP), fëmijët kanë dy herë më shumë gjasa se të rriturit të përballen me dhunë gjatë trafikimit. Përhapja e platformave online paraqet rreziqe shtesë, pasi fëmijët shpesh lidhen me këto faqe pa masa mbrojtëse adekuate.

Fëmijët i nënshtrohen formave të ndryshme të trafikimit, duke përfshirë punën e detyruar, krimin, lypjen, birësimin e paligjshëm, abuzimin seksual dhe shpërndarjen në internet të imazheve abuzive, dhe disa rekrutohen gjithashtu në grupe të armatosura.
Simboli i kësaj dite është ”Zemra blu”, e cila përfaqëson trishtimin e atyre që trafikohen, si dhe zemrën e ftohtë të atyre që blejnë dhe shesin qeniet njerëzore./ata