Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se SHBA ka “shqetësime serioze” për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë.
“Ne kemi shqetësime serioze se rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit venezuelas. Është kritike që çdo votë të numërohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, që zyrtarët zgjedhor të ndajnë menjëherë informacionin me opozitën dhe vëzhguesit e pavarur pa vonesë dhe që autoritetet zgjedhore të publikojnë tabelimin e detajuar të votave”, tha Blinken, duke folur në një konferencë për media në Tokio.
Ai tha se “komuniteti ndërkombëtar po e shikon këtë nga afër dhe do të përgjigjet në përputhje me rrethanat”.
Shefi i diplomacisë amerikane gjithashtu tha se SHBA-ja duartroket popullin venezuelas për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe vlerëson “guximin dhe përkushtimin e tyre ndaj demokracisë përballë shtypjes dhe vështirësive”.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, nga ana e saj, tha se rezultatet nuk pasqyrojnë votat e popullit venezuelas.
“Ne jemi të shqetësuar se rezultataet e pjesshme të lëshuara nga autoritetet zgjedhore të Venezuelës nuk pasqyrojnë votat e popullit dhe bëjmë thirrje për publikimin e rezultateve të plota dhe të detajuara për transparencë. Ne do të mbajmë gjykimin deri atëherë. SHBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar po vëzhgojnë”, shkroi Watson në rrjetet sociale.
Sipas Këshillit Kombëtar Zgjedhor, 61-vjeçari Maduro siguroi 51 për qind të votave kundër 44 për qind nga lideri i opozitës, Edmundo Gonzalez. Megjithatë, rezultatet janë kundërshtuar nga opozita.
Në fjalimin e tij të fitores, Maduro, i cili fitoi një mandat të tretë, tha se ri-zgjedhja e tij do të sjell paqe dhe stabilitet./aa