Pas fjalimit “historik” të kandidatit republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, në Konferencën e Bitcoin-it dje, çmimi i kriptomonedhës është rritur me mbi 3 për qind brenda 24 orëve të fundit.

Trump në një fjalim në Nashville tha se SHBA-ja do të jetë kryeqyteti i kriptove të planetit dhe superfuqia e Bitcoin-it në botë.

“Nëse kriptoja do të përcaktojë të ardhmen, unë dua që ajo të minohet dhe të prodhohet në SHBA. Ajo nuk do të bëhet askund tjetër”, tha Trump.

Para ngjarjes, organizatori i ngjarjes, Brandon Green, tha se fjalimi i Trump-it do të jetë “historik”.

Sipas të dhënave të ‘coinmarketcap’, kapitali i tregut të Bitcoin-it arriti në 1.37 trilionë dollarë.

Vëllimi 24-orësh i monedhës ishte 23.8 miliardë dollarë dhe çmimi aktual i Bitcoin-it është rreth 69.600 dollarë.

Në fillim të këtij muaji, çmimi i Bitcoin-it ra nënë 52 mijë dollarë, duke shënuar nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2024.

Ndjenja pozitive në tregjet e kriptomonedhave u forcua nga pritjet për fitoren e Trump-it në zgjedhjet presidenciale dhe spekulimet për uljen e normave të interesit nga Sistemi i Rezervës Federale i SHBA-së dy herë këtë vit./aa