Kuvendi votoi sot dekretet e Presidentit të Republikës për disa ndryshime në kabinetin qeveritar të propozuara nga kryeministri Edi Rama gjatë Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste, në 28 korrik 2024.
Në fillim të seancës kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla njoftoi se opozita ka depozituar një kërkesë për zhvillimin me debat të seancës lidhur me këto ndryshime, por bazuar në Rregulloren e Kuvendit dhe nisur nga praktika e mëparshme e Kuvendit në votimet e ndryshimeve të kabinetit qeveritar, këto seanca janë zhvilluar pa debat.
“Është tagër i kryetares së Kuvendit të vendosë”, tha Nikolla, ndërsa përjashtoi kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi nga seanca.
Në vijim Kuvendi votoi:
Projektvendimin për miratimin e dekretit të Presidentit për shkarkimin e Elisa Spiropalit nga detyra e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin me 79 vota pro, 2 abstenim, 3 kundër.
Projektvendimin për miratimin e dekretit të Presidentit për shkarkimin e Ervin Metes nga ministër i Financave me 78 vota pro, 2 abstenim, 8 kundër.
Projektvendimin për miratimin e dekretit të Presidentit për shkarkimin e Niko Peleshit nga ministër i Mbrojtjes me 78 vota pro, dy abstenim, asnjë kundër.
Projektvendimin për miratimin e dekretit të Presidentit për shkarkimin e Taulant Ballës ministër i Brendshëm me 84 vota pro, dy kundër, asnjë abstenim.
Projektvendimin për miratimin e dekretit të Presidentit për emërimin e Petrit Malaj ministër të Financave me 77 vota pro, dy abstenim, 14 kundër.
Projektvendimin për miratimin e dekretit të Presidentit për emërimin e Pirro Vëngut ministër Mbrojtje me 77 vota pro, dy abstenim, 13 kundër.
Projektvendimin për miratimin e dekretit të Presidentit për emërimin e Ervin Hoxhës ministër të Brendshëm me 76 vota pro, 2 abstenim, 11 kundër.
Projektvendimin për miratimin e dekretit të Presidentit për emërimin e Taulant Ballës ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin me 78 vota pro, 9 kundër, asnjë abstenim.
Projektvendimin pës zgjedhjen e Bledar Çuçit nënkryetar të Kuvendit duke zëvendësuar Ermonela Felajn me 77 vota pro, 9 kundër.
Kuvendi miratoi me 75 vota pro, 4 kundër dhe asnjë abstenim edhe emërimin e Elisa Spiropalit, Kryetare Kuvendi. Spiropali zëvendëson në këtë detyrë Lindita Nikollën.
Sakaq, gjatë procesit të votimit deputetët e PD-së bllokuan foltoren e Kuvendit, duke përplasur tavolinat e krijuar kaos në seancë./ata