Kuvendi në seancën e sotme plenare miratoi 4 projektligje, 7 projektvendime dhe 1 Akt Normativ.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste u shpreh Evis Kushi, e cila tha se me anë të kësaj marrëveshjeje synohet forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, nëpërmjet bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor si dhe interesi për të zhvilluar bashkëpunimin arsimor dhe shkencor me përfitim të ndërsjellë, dhe ftoi deputetët ta miratonin atë.

Ndërsa, nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike foli Greta Bardeli, e cila shprehu qëndrimin në emër të grupit parlamentar në mbështetje të marrëveshjes që lidhet me Kosovën.

Ky projektligj u miratua me 97 vota pro.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermiereve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore”, u shpreh nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste  Klodiana Spahiu, e cila tha se nëpërmjet ratifikimit të kësaj marrëveshjeje synohet që të bëhen pjesë e legjislacionit të Republikës së Shqipërisë rregullat për njohjen automatike të dëshmive të kualifikimeve formale, bazuar në kushtet minimale të trajnimit brenda palëve për akses dhe ushtrim të profesionit të rregulluar, si dhe kushtet minimale të harmonizuara të trajnimit në një ose më shumë palë të tjera dhe që lejojnë mbajtësit e kualifikimit në fjalë të ndjekin të njëjtin profesion në një palë të ndryshme nga pala ku ata kanë marrë kualifikimet e tyre profesionale.

Ndërsa Tritan Shehu, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, theksoi se të tilla marrëveshje duhet të realizohen jo vetëm me vendet e rajonit por edhe me vendet e tjera të BE, për të krijuar mundësinë që shqiptarët të cilët kryejnë studimet universitare, të jenë të aftë të zgjedhin vetë më pas rrugën e tyre të punës.

Ky projektligj u miratua me 96 vota Pro.

Për projektligjin, “Për sigurinë kibernetike”, deputeti Bardhyl Kollçaku, nga ana e mazhorancës vuri në dukje se qëllimi i këtij projektligji është përcaktimi i kornizës së nevojshme ligjore për sigurinë kibernetike me qëllim arritjen e një niveli të lartë të sigurisë kibernetike në nivel kombëtar, duke përcaktuar në mënyrë të qartë procedurat dhe masat e sigurisë.

Ndërsa, nga opozita, Ferdinand Xhaferaj u shpreh se nuk jepet asnjë garanci në këtë projektligj për mbrojtjen e të dhënave, përveçse garancisë së investimit të buxhetit në këtë fushë.

Ky projektligj u miratua me 74 vota Pro.

Ndërsa, të dy amendamentet e propozuara nga deputetja, Jorida Tabaku, për këtë projektligj, u rrëzuan me 72 dhe 73 vota Kundër.

Për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh nga mazhoranca z. Nasip Naço, i cili ndër të tjera tha se qëllimi kryesor i këtij projektligji është rregullimi i kohëzgjatjes së ruajtjes së personaliteteve të tjera dhe banesave të tyre, pas përfundimit të mandatit, përcaktimi i kushteve dhe kritereve për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, me qëllim shndërrimin e këtij procesi në një proces konkurrues e meritokratik, rregullimin e së drejtës së kompensimit financiar, për trajtimin me veshmbathje civile si dhe më e rëndësishmja, njohjen e kohës së qëndrimit në gradë, sipas ligjit të mëparshëm, duke siguruar kështu, vazhdimësinë e karrierës së punonjësve të Gardës së Republikës, pavarësisht ndryshimit të sistemit të gradave.

Më tej, nga opozita deputeti Ervin Salianji vuri në dukje se ky ligj dëmton në thelb sistemin e karrierës në Gardën e Republikës, i dëmton të gjithë gardistët që punojnë dhe duan të ngjiten në krye të sistemit, duke i hapur rrugën me ligj njerëzve të cilët vijnë si influenca personale të pushtetarëve.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 72 vota Pro.

Më tej, seanca miratoi edhe projektvendimet, përkatësisht:

Projektvendim për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik te Check-Up në Shëndetësi, me 95 vota Pro.

Projektvendim për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS, me 96 vota Pro.

Projektvendim “Për zgjedhjen e një anëtari të bordit të Entit Rregullator të Energjisë”, u miratua kandidatura e znj. Brunilda Tavani me 73 vota Pro.

Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Këshillit të Statistikave”, kandidatura e znj. Keti Luarasi u miratua me 72 vota Pro.

Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Këshillit të Statistikave”, kandidatura e z. Bardhyl Sejdarasi u miratua me 71 vota Pro.

Projektvendim “Për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar”, kandidatura e z. Ndriçim Xhepa u miratua me 95 vota Pro.

Projektvendim “Për miratimin e disa ndryshimeve në vendimin e Kuvendit nr. 43/2017 “Për miratimin e strukturës dhe organikes së Autoritetit të Konkurrencës””, i ndryshuar, me 74 vota Pro.

Po ashtu, seanca miratoi edhe Aktin Normativ nr.1, datë 21.2.2024, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 97/2023 “Për buxhetin e vitit 2024″”, me 71 vota Pro.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 22:00./ata