Në kuadër të projektit “EU4 Inclusive Education” që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato dhe srejtori për Ballkanin Perëndimor i Fondacioneve për Shoqëri të Hapur, Andi Dobrushi zhvilluan sot një vizitë në ambientet e rinovuara të Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, “mbështetja e BE-së për Institutin e Fëmijëve që nuk Dëgjojnë ka pasur një ndikim real në jetën e tyre. Projekti “EU4InclusiveTeaching” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe zbatuar nga OSFAlbania, jo vetëm që ka krijuar klasa më të mira dhe laboratorë modernë – por gjithashtu ka lejuar mësuesit të ndjekin trajnime nga ekspertë finlandezë për të siguruar që arsimimi gjithëpërfshirës të bëhet realitet në Shqipëri”.

“Ne duam që të gjithë fëmijët, pavarësisht nga situata e tyre, të përmbushin potencialin e tyre në shoqëri. “EU4InclusiveTeaching” është vetëm një aspekt i angazhimit tonë për të nxitur dhe modernizuar sistemin arsimor të Shqipërisë” theksoi Gonzato./ata