Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong tha se "pakti i sigurisë" midis Rusisë dhe Koresë së Veriut është destabilizues dhe “i rrezikshëm për botën”.

Në një njoftim nga Ministria e Jashtme e Australisë thuhet se Wong bëri deklarata për gazetarët në qytetin Paju në kuadër të vizitës së saj në Korenë e Jugut. "Australia është në solidaritet me Korenë e Jugut", theksoi Wong e cila shtoi se ata janë të shqetësuar për shkak të veprimeve destabilizuese të Koresë së Veriut.

Wong shprehu se ata vazhdojnë të dënojnë lëshimet e raketave balistike të Koresë së Veriut që kërcënojnë sigurinë e partnerëve të saj, përfshirë Australinë, Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Sipas saj, "pakti i sigurisë" midis Koresë së Veriut dhe Rusisë është destabilizues dhe "i rrezikshëm për botën". "Ne shohim se Rusia shfaq sjellje që nuk i shërben paqes, përkundrazi përshkallëzon tensionet. Edhe vazhdimi i transferimit të armëve nga Koreja e Veriut në Rusi është shkelje e hapur e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së", tha Wong.

- Vizita e Putinit në Korenë e Veriut

Presidenti rus, Vladimir Putin zhvilloi vizitë zyrtare në Korenë e Veriut më 19 qershor dhe mes palëve u nënshkrua një "marrëveshje gjithëpërfshirëse e partneritetit strategjik".

Putin deklaroi se marrëveshja premtonte se nëse njëra nga palët sulmohej pala tjetër do të ofronte ndihmë ushtarake, por ai shmangu përdorimin e fjalës "aleancë".

Ndërsa lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un e cilësoi marrëveshjen si një "pakt" dhe shtoi se marrëdhëniet u ngritën në nivelin e "aleancës së lartë"./aa