Delegacionet nga Türkiye dhe Armenia ritheksuan vazhdimin e procesit të normalizimit mes vendeve të tyre “pa asnjë parakusht”.

"Ata ritheksuan marrëveshjen e tyre për të vazhduar procesin e normalizimit pa asnjë parakusht drejt arritjes së qëllimit përfundimtar të normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis vendeve përkatëse", thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Türkiyes.

Serdar Kılıç, përfaqësuesi special i Türkiye për procesin e normalizimit midis dy vendeve, dhe Ruben Rubinyan, nënkryetari i parlamentit armen, mbajtën takimin e tyre të pestë në pikën kufitare Alican-Margara midis Türkiyes dhe Armenisë.


"Ata rikonfirmuan marrëveshjet e arritura në takimet e tyre të mëparshme", thuhet në deklaratë.

Gjithashtu thuhet se të dy palët ranë dakord të vlerësojnë kërkesat teknike për të mundësuar funksionimin e portës kufitare hekurudhore Akyaka/Akhurik, në përputhje me zhvillimet rajonale si dhe për të thjeshtuar procedurat e tyre të ndërsjella të vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare.

Türkiye dhe Armenia filluan bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve të tyre në janar 2022, me negociatat e zhvilluara fillimisht në kryeqytetin rus Moskë.

Që atëherë, të dërguarit specialë të Ankarasë dhe Jerevanit u takuan edhe tre herë në kryeqytetin austriak, Vjenë, me takimin e fundit të mbajtur në korrik 2022./aa