Ish-ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i dorëzoi sot detyrën ministrit të ri të Mbrojtjes, Pirro Vëngu.

Pas pothuaj katër viteve si ministër i Mbrojtjes, Peleshi shprehu mirënjohjen  “për ekipin ushtarak të FARSH dhe atë civil të kësaj ministrie, puna e të cilëve është themeli i arritjeve të Shqipërisë si pjesë e Aleancës së NATO-s, krah për krah partnerëve tanë strategjikë, SHBA”.

“Nderin dhe privilegjin për të shërbyer për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të vendit, të besuar nga kryeministri Rama jam munduar ta shpërblej me punë dhe dinjitet”, theksoi Peleshi.

Ai nënvizoi se, “është një kënaqësi e madhe të shoh Shqipërinë të renditur ndër vendet e dalluara në NATO për përmbushjen e detyrimeve dhe angazhimeve të saj, duke tejkaluar vende që kanë qenë pjesë e Aleancës më herët dhe më gjatë se ne”.

“Largohem i përmbushur dhe krenar për punën dhe synimet e realizuara. Kam besim se i njëjti angazhim dhe ndjenjë detyre do të vazhdojë me ministrin e ri”, theksoi Peleshi.

Peleshi i uroi suksese dhe punë të mbarë ministrit Pirro Vëngu.

“Suksese dhe punë të mbarë Pirros, i cili jam i bindur që do t’i çojë më tej punët dhe përmbushë me sukses përgjegjësitë e programit tonë qeverisës dhe zotimeve ndaj Aleancës. Punë të mbarë dhe faleminderit”, u shpreh Peleshi./ata