etë shtetas rusë, të cilët u arrestuan ose u burgosën në disa vende, janë kthyer në shtëpi pas një operacioni të madh shkëmbimi të të burgosurve të udhëhequr nga Türkiye.

“Më 1 gusht 2024, si rezultat i operacionit që u zhvillua në aeroportin e qytetit të Ankarasë, tetë shtetas rusë të ndaluar dhe të burgosur në disa vende të NATO-s, duke përfshirë edhe të mitur, janë kthyer në atdheun e tyre”, thuhet në një deklaratë nga Qendra e Marrëdhënieve me Publikun e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).

Më parë, Organizata Kombëtare e Inteligjencës e Türkiyes (MIT) njoftoi se udhëhoqi një shkëmbim të suksesshëm të të burgosurve që përfshin shtatë vende në një nga operacionet më të gjera të shkëmbimit në vitet e fundit.

Sipas burimeve të sigurisë, gjithsej 26 individë u përfshinë në shkëmbimin e së premtes, të transportuar në kryeqytetin turk Ankara me shtatë avionë, një nga Gjermania, Polonia, Sllovenia, Norvegjia, Rusia dhe dy nga SHBA.

Bjellorusia ishte gjithashtu e përfshirë në shkëmbim.

Në deklaratën ruse thuhet se kthimi i të burgosurve është bërë i mundur si rezultat i “punës sistematike dhe të fokusuar të agjencive kompetente qeveritare, si dhe partnerëve të huaj”.

“Shtetasit rusë u shkëmbyen me një grup individësh që vepronin në interes të shteteve të huaja në dëm të sigurisë së Federatës Ruse”, thuhet më tej në deklaratë.

Më vonë, Kremlini njoftoi se presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret, duke falur individët që u kthyen në SHBA, duke përfshirë reporterin e Wall Street Journal Evan Gershkovich, ish-marinsin Paul Whelan dhe gazetaren Alsu Kurmasheva.

“Vendimi për nënshkrimin e dekreteve u mor me qëllimin për të rikthyer shtetasit rusë të arrestuar dhe të burgosur në vende të huaja”, thuhet në një deklaratë përkatëse nga Kremlini, ku gjithashtu falënderohet presidenti bjellorus Alexander Lukashenko për faljen e shtetasit gjerman Rico Krieger.

“Moska është gjithashtu mirënjohëse për udhëheqjen e të gjitha vendeve që ndihmuan në përgatitjen e shkëmbimit”, thuhet në deklaratë./aa