Blendi Klosi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, tha se, “të majtë të djathtë janë në mbështetje të kandidaturës së Vangjel Tavos, sepse realisht ai ka demostruar paanshmëri pavarësisht krahut politik në ndarjen e certifikatave të pronësisë, duke iu gjendur gjithkujt”.

I pranishëm në takimin që zhvilloi kryeministri Edi Rama sot në Himarë, me kandidatin për zgjedhjet e pjesshme lokale në Bashkinë Himarë, Vangjel Tavo dhe deputetin socialist Damian Gjiknurin, Klosi tregoi se, “në një takim në Borsh, një qytetar që kishte ardhur nga emigracioni tha se Vangjeli ka bërë atë që për 30 vjet, nuk e kishin bërë dot njeri dhe u bë paqja politike në të gjthë këtë zonë”.

“Pra kjo frymë që të gjithë janë të barabartë dhe do të trajtohen njëlloj në këtë qytet, na ka ndihmuar shumë gjatë fushatës”, tha Klosi.

“Le të jetë data 4 gusht një ditë e bukur në këtë qytet. Le të jetë një votim për herë të parë në Himarë, se sa herë janë bërë zgjedhjet këtu kemi krijuar nga ndonjë përplasje apo histori, shpresoj shumë që data 4 e pastaj 5 e 6 të shoqërohen me punë në vijimësi. Është shumë e rëndësishme ajo që ka krijuar Vangjeli në të tre njësitë, qoftë në Lukovë, Lumin e Vlorës, e Qendër Himarë, njerëzit janë të paqtë dhe pranojnë një garë elektorale normale si në të gjitha 61 bashkitë e vendit dhe nuk ka ndonjë gjë më shumë që të ndodhi diçka në Himarë”, tha Klosi./ata