Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “vitin e ardhshëm objektivi duhet të jetë që të marrim fitoren më spektakolare të të gjithë këtyre 9 fitoreve radhazi”.
Në një takim me banorët e Himarës ku ishte i pranishëm edhe kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo, Rama foli për diferencën e votave.
“Gjëja që nuk kanë për të na e kuptuar dhe s’kanë për të na e pranuar kurrë, kur del ai atje dhe thotë do bëjmë tërmet. Kur del ky tjetri këtu dhe thotë do bëhet breshër. Kur dal unë dhe them shifra, këta kujtojnë se ne kemi ndarë lekët dhe i kemi blerë votat. Kjo është një çmenduri”, tha Rama.
Ne ndërkohë, shtoi kryeministri, “kemi sistemin që ne e dimë paraprakisht rezultatin për shkak të kontakteve dhe për shkak të sondazheve. Ne i kemi bërë sondazhet dhe këtu në Himarë. I kemi bërë në fillim kur u vu Vangjeli, i kemi bërë dhe para 1 jave dhe ne e dimë pak a shumë se ku do dali rezultati”.
“Makineria jonë elektorale është makineri elektorale moderne, partia jonë është parti, është organizim, është koordinim. Kemi shumë potencial për të marrë edhe më shumë, prandaj unë them vitin e ardhshëm objektivi duhet të jetë që të marrim fitoren më spektakolare të të gjithë këtyre 9 fitoreve radhazi”, tha Rama./ata