Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit, në nivel qendror dhe vendor, në përgjigje të shqetësimeve dhe marrjen e masave të forta reaguese, duke veçuar 3 çështje kryesore, që lidhen me luftën kundër krimit ekonomik, masat antikanabis dhe mbarëvajtjen e procesit elektoral.

 

Ministri i Brendshëm kërkoi angazhimin maksimal të strukturave inteligjente dhe ato të Rendit për mbarëvajtjen e fushatës elektorale dhe gjithë procesit zgjedhor të 14 Majit, duke parandaluar dhe goditur me forcën e ligjit, çdo tentativë për shitblerje vote.

 

Ai kërkoi goditjen e fenomeneve që përbëjnë krime elektorale, si dhe që policia t’i shmanget çdo lloj intimidimi nga subjektet politike apo persona të lidhur me ta.

 

Ministri Çuçi theksoi se vlerësimi i performancës për çdo drejtues vendor apo qendror në Policinë e Shtetit, është dhe do të mbetet kriteri kyç, duke e matur punën e çdokujt me rezultatet në terren.