Qyteti liqenor i Pogradecit për 3 ditë me radhë u kthye në kryeqendrën e argëtimit dhe kulinarisë së peshkimit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje live nga nata e tretë e edicionit të parë të Festivalit të Peshkatarëve Shqiptarë, që bëri bashkë aktorë të sekorit, po jo vetëm,  nga veriu në jug, për të ndarë eksperiencën e peshkimit, në një festë të madhe në qytetin liqenor.

“Pogradeci Live”  shkroi Rama.

Nata tretë e këtij eventi solli shumë emocione jo vetëm për pogradecarët por edhe turistët e huaj të cilët kishin mbushur odeonin plot dhe u përfshinë në valle duke kërcyer dhe kënduar me grupet artistike që performuan në këtë festë.

Për herë të parë Pogradeci u bë mikpritësi i këtij aktiviteti të veçantë.

Ky evenimet i mbështetur nga Shoqata e Peshkatarëve, bëri bashkë për tre netë në Odeonin e qytetit, jo vetëm profesionistët dhe të apasionuarit pas peshkimit, por edhe kuzhinierë, artistë të botës së muzikës dhe pikturës si dhe të ftuar specialë.

Festivali krijoi një atmosferë ndryshe për turistët dhe vizitorët që po frekuentojnë qytetin e bukur liqenor në këtë sezon vere.

Në Festivalin e Peshkatarëve Shqiptarë, muzika e mirë shkoi bashkë me degustimin e disa prej pjatave më tradicionale, ku korani i famshëm ishte kryefjala.

Festivali u zhvillua në datat 2, 3 e 4 gusht duke nisur kësisoj një traditë të bukur për qytetin e Pogradecit./ata