Sektori i bujqësisë është rritur gjatë viteve të fundit, duke u kthyer në një mundësi për fuqizimin ekonomik jo vetëm të fermerëve dhe familjeve fermere, por edhe për të rinjtë që janë angazhuar në bujqësi dhe blegtori.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se të rinjtë kanë mundësinë të angazhohen dhe të kontribuojnë në bujqësi edhe përmes dijeve që mund të marrin në arsimin profesional, duke siguruar jo vetëm punësimin, por edhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit bujqësor.
Ministrja Denaj, ndau sot në rrjetet sociale shembullin e Uendit që ka zgjedhur shkollën profesionale bujqësore “Rakip Kryeziu”, Fier.
Ajo na tregon eksperiencën e zgjedhjes së saj për të rritur dijen profesionale në bujqësi, prej nga ku u bën thirrje të rinjve që kanë mbaruar klasën e 9-të ta shohin arsimin profesional në bujqësi si një mundësi e sigurtë punësimi.
Shkolla profesionale “Rakip Kryeziu” ofron drejtimet Bujqësi, Veterinari, Shërbime Sociale dhe Shëndetësore, dhe Shërbime mjetesh transporti.
Denaj informoi se, afati i aplikimit në shkollat profesionale është deri më 30 shtator, teksa u bëri apel të rinjve të aplikojnë në e-Albania në shërbimin “Regjistrim në klasë të dhjetë”./ata