Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar pritje shtetërore për ekipin olimpik të Kosovës që mori pjesë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Në sheshin “Xhorxh Bush”, ku u mblodhën krerë të institucioneve të shtetit, përfaqësues të institucioneve të sportit në vend dhe qytetarë të shumtë, pjesëmarrësit e lojërave olimpike u ngjitën në një tribunë bashkë me kryeministrin Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova është me një ekip të shkëlqyer kampionësh.

Ai tha se ekipi kosovar i xhudos arriti ta mbajë traditën e Kosovës si shtet për të fituar medalje olimpike në secilën olimpiadë ku mori pjesë Kosova deri më tani.

“Sot këtu para jush jemi me një ekip të shkëlqyer kampionësh, me një ekip që na bën krenarë anë e mbanë botës, kudo që shkon, nga Rio në Tokio, e nga Tokio në Paris. Kësaj radhe prijëse të suksesit tonë sportiv në Olimpiadën e Parisit ishin dy xhudistet tona Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu”, theksoi Kurti.

Ai tha se në Lojërat Olimpike Paris 2024 gati secili sportist arriti të thyej një rekord për vete.

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka deklaruar se për të tretën herë me radhë nga Lojërat Olimpike po kthehen me medalje.

“I kemi dëshmuar gjithë botës që fëmijët tanë kanë virtyte, kanë vlera. Sepse, kemi ndërtuar nga një shtet shumë i vogël pesë medalje olimpike dhe do të vazhdojmë tutje”, theksoi Kuka.

Ndërsa, dy xhudistet që fituan medalje olimpike, Distria Krasniqi të argjendtën dhe Laura Fazliu të bronztën, thanë para të pranishmëve se ndihen krenare për medaljet e fituara.

Ekipi olimpik i Kosovës u kthye në vend me dy medalje olimpike në xhudo.

Kosova shkoi në Paris me nëntë atletë në sporte të ndryshme si, xhudo, not, atletikë dhe boks./aa