Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë për të ndaluar “gjenocidin” në Rripin e Gazës.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet ta bëjë pjesën e tij për të ndaluar gjenocidin dhe për të bërë presionin e nevojshëm mbi Izraelin dhe mbështetësit e tij. Türkiye do të bëjë çdo përpjekje të mundshme në këtë rrugë. I inkurajuar nga mos ndëshkimi që ka marrë për krimet e tij, Izraeli po vret çdo ditë e më shumë palestinezë të pafajshëm”, shkroi Fidan në platformën sociale X.
Fidan theksoi se Türkiye ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për t’iu bashkuar çështjes së gjenocidit të ngritur kundër Izraelit.
Më herët, Türkiye dorëzoi deklaratën e saj në gjykatën e lartë të OKB-së, duke theksuar se po i bashkohet çështjes së gjenocidit të Afrikës së Jugut kundër Izraelit.
Me këtë, Türkiye bëhet palë në çështjen e gjenocidit duke iu bashkuar Nikaraguas, Kolumbisë, Libisë, Meksikës, Palestinës dhe Spanjës, të cilët gjithashtu i janë bashkuar Afrikës së Jugut e cila e parashtroi rastin për herë të parë dhjetorin e kaluar.
Kryetari i Parlamentit të Türkiyes, Numan Kurtulmuş, në rrjetet sociale tha se ky aplikim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë shënon një "hap konkret dhe historik" për të ardhmen e çështjes palestineze.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të siguruar që Izraeli të gjykohet në gjykatat ndërkombëtare për krimin e gjenocidit dhe që Netanyahu dhe banda e tij të marrin dënimin më të ashpër që meritojnë për krimet që kanë kryer”, theksoi Kurtulmuş./aa